Vuçiq: Ka mundësi që pranimi i Kosovës në KiE të shtyhet, beteja kryesore e Serbisë është më 16 maj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë sot se Serbia do të vazhdojë të luftojë edhe pse ka kundërshtarë fuqitë dominuese të Perëndimit, duke theksuar se kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në KE, shpjegimet e tyre për atë proces janë “qesharake”, duke qenë se sipas tij Kosova për 11 vite nuk e ka përmbushur obligimin për formimin e Asociacionit.

“Sa i përket Këshillit të Evropës, çfarë mund t’ju them? Gjëja më qesharake është kur ke shpjegimet e tyre se ky është një proces normal, se është shkruar diku. Epo, diku thotë se Asociacioni duhej të formohej 11 vjet më parë. Të gjithë ju liderët evropianë dhe Scholz, Macron dhe Meloni më thanë se nuk duhet të bëjmë asgjë derisa të formohet Asociacioni, kështu që keni harruar”, tha Vuçiq për RTS.

Ai shprehu besimin e tij se ekziston mundësia, falë avokimit francez, të shqyrtohet shtyrja e anëtarësimit të Kosovës në KE.

“Në çdo rast, nuk do të jetë e lehtë. Ne kemi dërguar shumë letra dhe letra zyrtare në adresa të ndryshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. “Po më thërrasin nga të gjitha anët e mundshme për të më bindur për diçka dhe që ne me sa duket të bëjmë një lloj kompromisi”, ka theksuar Vuçiq.

Megjithatë, ai thekson se nuk ka asnjë kompromis për këtë çështje.

Vuçiq tha se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës do të kalojë nesër, duke shtuar se beteja kryesore për Serbinë është më 16 maj.

“Nesër do të kalojë dhe beteja jonë kryesore është më 16 maj, kështu që do të shohim nëse nuk do të ketë ndryshime”, tha ai.