Bota e artit u trondit me lajmin e vdekjes së aktores së njohur Shirine Morina, e cila njihet për bagazhin e saj të madh në skenën teatrale.
Për shuarjen e figurës së shquar të skenës artistike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes faqes zyrtare të presidencës, Osmani shprehu ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor.
“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive”, ka thënë Osmani.
“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi mes tjerash presidentja e Kosovës.