Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është takuar me Ariella Viehe, Shefe e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shabit të Përgjithshëm të NATO-s.
Siç bën të ditur ministri përmes një njoftimi në Facebook, në takim është biseduar për situatën e veriut në vend.
Sveçla tha se ka shprehur shqetësimin e tij për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe për gjuhën dhe veprimet e saj kërcënuese në raport me Kosovën.
Tutje në njoftim u theksua edhe rëndësia për t’i ndëshkuar ekstremistët e dhunshëm, si garancë për të mos u përsëritur sulmet me të cilat janë përballur pjesëtarët e KFOR-it.
Postimi i plotë:
Kënaqësi që të takoj sërish znj. Ariella Viehe, Shefe e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shabit të Përgjithshëm të NATO-s.
Bashkë biseduam për situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës, veçanërisht në veriun e vendit tonë. E njoftova znj. Viehe për punën e institucioneve tona në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë atje. Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë. Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garancë e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR.
Vlerësuam lartë të dyja palët bashkëpunimin dhe punën e palodhshme të Policisë së Kosovës dhe KFOR, në krijimin e një ambienti të qetë e të sigurtë për qytetarët tanë.