Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, me ShBA-të mund të gjendet gjithmonë një zgjidhje.
Ai për “Zërin e Amerikës” ka thënë se shteti ka obligime ndërkombëtare dhe se ato duhet të përmbushen, derisa tha se është parënjë qasje kokëfortë e kryeministrit Albin Kurti.
“Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më fleksibile, shumë më bashkëpunuese dhe e kujdesshme kur diskuton me faktorin ndërkombëtarë sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo që kemi parë deri më tani ka qenë një qasje kokëforte e kryeministrit tonë Albin Kurti e cila nuk i bën mirë Kosovës. Ne jemi shtet dhe kemi obligime ndërkombëtare dhe ato obligime gjithsesi duhet t’i përmbushim, nuk them se ka formulë magjike mirëpo them se nëse ka vullnet, qasje konstruktive dhe fleksibile me partnerët ndërkombëtarë sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë mund të gjendet zgjidhje.
Kemi kaluar sfida edhe më të rënda dhe kemi gjetur zgjidhje dhe rekomandoj që të ketë kujdes, të ketë fleksibilitet edhe të ketë gatishmëri serioze për të biseduar dhe gjetur zgjidhje, e cila zgjidhje duhet gjithsesi të gjindet.” – ka thënë ai.