Nissinen: Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës në KiE

Finlanda do ta përkrahë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kështu është shprehur ambasadori finlandez në Kosovë, Matti Nissinen në një intervistë për emisionin “Linja Shqip” në RTK.

Ai tha se nën ombrellën e Këshillit të Evropës, Kosova duhet t’i mbrojë në mënyrë të veçantë pakicat.

“Finlanda i përkrah aspiratat e Kosovës në politikën e jashtme dhe kjo përfshin anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo përkrahje mbetet e palëkundur nga ana e Finlandës. Kjo përfshin edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Ne, mbi të gjitha, këtë e konsiderojmë si çështje të të drejtave njerëzore dhe kjo është diçka që bëhet për njerëzit e vendit dhe për të drejtat e njeriut të popullit të Kosovës.  

Nën ombrellën e Këshillit të Evropës, Kosova do të jetë pjesë e regjimeve të të drejtave të njeriut dhe kjo është një gjë tejet e vlefshme e cila përfshin përgjegjësinë e veçantë për mbrojtjen e pakicave”, tha ai.