Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit, kur banorët në katër komunat në veri duhet të votojnë nëse duan apo jo të shkarkojnë kryetarët shqiptarë, që u zgjodhën vitin e kaluar, në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët.
Për këtë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që serbët në veri të vendit të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës Serbe, që kërkuan bojkotimin e procesit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri.
“Republika e Kosovës në bashkëpunim me aleatë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos ju cenohet në asnjë moment kjo e drejtë dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione.
Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuçiq, ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera, ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presione të paligjshme ndaj serbëve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.
Osmani tutje i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të jenë shumë zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të p ligjshëm ndaj serbëve.
“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim, jemi të përkushtuar që serbet që jetojnë në Kosovë të shfrytëzoj të drejtat që atyre u jep Kushtetuta por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e Vuçiqit. Dua në veçanti t’i bëjë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë që të jenë shumë zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të pa ligjshëm ndaj serbeve që jetojnë në Kosovë dhe po ashtu ta ndëshkojnë Vuçiqin i cili për disatën herë nuk e ka mbajtur fjalën që e ka dhënë para tyre qe nuk do të ndërhyj në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe normat e së drejtës sepse është shtet tjetër dhe nuk ka të drejtë të ndërhyj në procese zgjedhore në Kosovë”, deklaroi tutje Osmani.