Me të nisur viti 2024 në gjuhën se gjithësecilit kanë qenë zgjedhjet e hershme parlamentare derisa kanë variuar idetë se “kur dhe nga çka?” do të mund të shkaktoheshin ato.
Nga pushteti veçse kanë nisur (për)dredhjet me sondazhe tash-e-disa-herë për të projektuar lartësinë e qëndrimit (para)zgjedhor të tyre.
Pushteti në krizë performance dhe jetësimi të ofertës së tyre zgjedhore të para tri vjete për çështje jetike në vend, krejt çka mundur të ofrojë është përplasjen me Serbinë dhe policimin e veriut të banuar me shumicë serbe.
Së paku një dimension sinqeriteti për arsyen e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e kishte dhënë i dyti për nga pesha në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Për shkak të proceseve të dialogut me Serbinë, pati thënë Konjufca, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të hershme “që të mos dëmtohet legjimiteti” i qeverisë në ardhje.
Në këtë lexim, Konjufca e jepte – sigurisht, çështjen bosht të Asociacionit – për një rilegjitimim të Vetëvendosjes para se të bëheshin hapa në atë drejtim, e jo hapa në atë drejtim para ri-mandatimit.
E mu këtij “hapi të parë” drejt Asociacionit i ka ardhur koha; dhe atë hiç më larg se në periudhë prej 15 prillit deri më 16 maj në dritën e votimit të anëtarësimit ose jo të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tash e gjen veten në mes të miratimit të draft-Statutit të Asociacionit të Komnave të banuara me shumicë serbe vis-a-vis votimit të suksesshëm të Kosovës në KiE, ose jo KiE si rrjedhojë e mosprocedimit tutje për rishikim kushtetues.
Se si do ta peshojë këtë – mes miratimit të draftit dhe KiE-së ose anasjelltas – është ngjarja më e afërt që në potencë bërtet me “zgjedhje të parakohshme”.
Pse është kështu?
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyanis shkruan që “hapa të prekshëm progresi” drejt themelimit të Asociacionit do të jenë “dukshëm lart në konsideratën” e Këshillit të Ministrave të KiE-së (praktikisht në nivel qeverish të shteteve anëtare) për të pranuar ose jo anëtarësimin e Kosovës në KiE më 16 maj.
Nacionale ditë më parë raportoi nga burime diplomatike se qëndrimi i Gjermanisë vis-a-vis votimit final në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të varet nga procedimi ose jo i draft-Statutit të Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian të ofruar qeverisë kosovare në fund të tetorit të vitit të kaluar.
“Jo zbatim i plotë i Asociacionit”, vëren burimi, por “progres në proces…dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.
Madje në atë se qëndrimi gjerman për mbështetjen me votë në instancën e fundit vendimarrëse të KiE-së ka të bëjë me marrjen e këtij hapi të parë drejt Asociacionit, bashkëbiseduesi ynë na thotë se ka qenë kështu ka herë
“Progresi në lidhje me ASM-në ka qenë kërkesë qëmoti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe është komunikuar vazhdimisht (nga gjermanët)”.
Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis ajo e shkruan prerazi se vetë aplikimi i Kosovës, përkatësisht vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare (BE)”.
E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb krahas Nenit 4 nga i cili është argumentuar procedimi i aplikacionit për këtë anëtarësim në rend të parë.
Të njëjtin parashikim për këtë periudhë ndërmjet mes-prillit dhe mes-majit si koha më potenciale kur Kurti mund ta çojë vendin në zgjedhje saktësisht për këtë të njëjtën arsye, e artikuloi edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
“Janë dy modalitete kritike që mund të prodhojnë zgjedhje. Njëra prej momenteve kritike është mes 16 prillit dhe 16 majit, presioni nëse do të jetë e vërtetë ajo për çështjen e (miratimit të) draftit të Asociacionit”, tha ai në Pressing të T7.
E kjo, sipas Gashit, do të bënte që – në rast të miratimit të draft-Statutit – Kurti “do të shkatërronte kauzat e tij” dhe zgjedhjet do të ishin në janar në përfundim të mandatit të rregullt, ose e kundërta, të mos e çonte draft-Statutin dhe t’i provokonte zgjedhjet për qershor.
“Se a shkon zoti Kurti në zgjedhje me katër kauza të shkatërruara në janar apo për të mos shkatërruar kauza provokon zgjedhje në qershor”, tha Gashi.
“Do të ishte vdekjeprurëse për Kosovën nëse do të refuzohej aplikimi i saj (për KiE) ose do të mbetejet në procedurë, të paktën edhe për një vit. Dhe për një vit mund të ndryshojë skena politike evropiane dhe mund të ketë shumë rreziqe tjera”, shtoi mes tjerash ai.