Një djalë 12-vjeçar – i cili e qëlloi me armë për vdekje një nxënës moshatar të klasës së gjashtë dhe i plagosi rëndë dy të tjerë, përfshirë një vajzë nga Kosova në një shkollë fillore në Finlandë – ishte cak i bullizmit dhe kjo është çfarë e nxiti atë ta kryejë sulmin, tha Policia finlandeze të mërkurën.
Policia tha se ai e mori me vete revolen e një të afërmi në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit dhe i qëlloi tre nxënës 12-vjeçar dhe i kërcënoi disa të tjerë.
Ai ishte transferuar në këtë shkollë në fillim të vitit 2024, thanë hetuesit.
Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës konfirmoi se një vajzë shqiptare nga Kosova është njëra nga të plagosurit në sulmin në shkollën “Viertola” në Finlandë.
Ajo nuk dha hollësi të tjera, por tha se se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vajzës.
Policia tha se ajo dhe nxënësi tjetër po shërohen në spital dhe se lëndimet e tyre janë të rënda.
Finlanda mbajti ditë zie kombëtare të mërkurën për nder të fëmijës së vrarë në këtë sulm.
“Sot zbuluam se pas kësaj tragjedie qëndron bullizmi”, tha udhëheqësi i hetimit, detektivi Marko Sarkka për Reuters.
Ai nuk dha hollësi të tjera, apo nëse sulmuesi kishte ndonjë nxënës të caktuar në shënjestër.
Shkalla e bullizmit në shkolla në Finlandë është rritur, me 8.6 për qind të nxënësve të moshës rreth 12-vjeçare thonë tani se kanë qenë cak të bullizmit së paku një herë në javë.
Kjo është një rritje prej mbi një për qind nga viti 2019, kur shkalla ishte 7.2 për qind, sipas një studimi të vitit 2023 nga instituti i shëndetit publik, THL.
Shkolla ku ndodhi sulmi i ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri te e nënta, si dhe një staf prej 90 njerëzve, sipas autoriteteve lokale.
Finlanda është përballur me incidente të tilla edhe në të kaluarën.
Më 2007, Pekka-Eric Auvinen pati vrarë shtatë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një pushkë dore në shkollën e mesme “Jokela”, afër Helsinkit.
Një vit më vonë, më 2008, Matti Saari, një tjetër student, pati shtënë me armë në një shkollë profesionale në veriperëndim të Finlandës. Ai i ka vrarë nëntë studentë, një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten.
Finlanda e ka ashpërsuar ligjin për armëmbajtjen më 2010. Ajo e ka ndryshuar edhe moshën e lejuar për armëmbajtje, nga 18 në 20 vjeç.