Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot takimin e parë me kryesinë e re të saj, që është zgjedhur pak ditë më parë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se në këtë takim kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai ka shkruar se sfidat politike, diplomatike e posaçërisht ato ekonomike të shtetit dhe qytetarëve tanë, janë tejet shqetësuese dhe nuk mund të presin më.
“Ato kërkojnë punë, vullnet, dije, dhe, mbi të gjitha, një lider të dëshmuar për t’i trajtuar ato. Kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, përbrendëson të gjitha këto vlera dhe ka mbështetjen tonë të plotë në këtë mision. Prandaj, nga sot, PDK me të gjithë kapacitetet e saj, anë e kënd vendit, ka nisur misionin e saj mobilizues për një të ardhme më të sigurt për vendin. Me Bedriun Kryeministër – do ta rikthejmë normalitetin, zhvillimin dhe mirëqenien për të gjithë. Bashkë deri në fitore!”, ka shkruar Memli Krasniqi në Facebook.