Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur kërkesën e tij për respektimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit të vitit të kaluar.
Ai gjatë vizitës në veri të vendit, ka deklaruar se është i nevojshëm nënshkrimi i marrëveshjes që të krijohet siguria ligjore dhe të fshihen të gjitha shkeljet e mëhershme.
I pyetur lidhur me deklaratat e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kusht që duhet të zbatohet urgjentisht nga Kosova për të vazhduar progresin në rrugën evropiane, Kurti ka thënë se ajo çfarë duhet të zbatohet e nuk po respektohet është Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar.
“Aty gjithçka kemi brenda dhe nuk besoj që duhet ndonjë nen apo gjysmë nen të nxirret nga Marrëveshja Bazike, të deformohet, të vihet para gjithçkaje tjetër, se kjo do të ishte në kundërshtim edhe me Ankesin e Ohrit, dhe Marrëveshja Bazike të bie në prapavijë”, ka theksuar Kurti për media pas homazheve te pllaka përkujtimore e heroit Enver Zymeri.
Ai ka këmbëngulur se përqendrimi duhet të jetë tek Marrëveshja Bazike, e cila sipas tij “nuk duhet të shkelet”, por “duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet”.
“Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen Bazike, por kjo nuk mund të thuhet për palën tjetër. Për t’u krijuar siguria ligjore në njërën anë, dhe për t’u fshirë të gjitha shkeljet e mëhershme, nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është garancion”, ka potencuar Kurti.
Lidhur me përgatitjet e deritashme për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që është paraparë të zhvillohet më 21 prill, Kurti ka theksuar se Qeveria është gati të ndihmojë në çdo moment.
“Këtë proces e udhëheq KQZ-ja, ne jemi si qeveri për të ndihmuar kur ka nevojë. Deri tash përgatitjet janë bërë të plota, nuk ka ngecje. Në këtë prill duhet të mbahet ai votim ashtu siç e parasheh udhëzimi administrativ. Përshtypja ime është që me qytetarët këtu është e mundur të bashkëpunohet, të zhvillohet edhe komuna edhe shteti jonë, për shkak se nuk jemi Qeveri siç na përshkruajnë në Beograd por jemi e tillë çfarë punojmë e angazhohemi përditë këtu në Kosovë”, është shprehur ai.