Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka akuzuar pushtetin në këtë komunë për manipulim të qytetarëve.
“Sot shpalosëm të pavërtetat e pushtetit të Agim Aliut në Ferizaj, të thurura në formë propagande në Raportin e Punës”, tha ai pas një konference.
Ai thotë se përveç “tentimit për të manipuluar qytetarët”, pushteti i PDK-së në Ferizaj “ka dështuar në çdo sektor”.
“Ani pse u planifikuan për vitin e kaluar, shumë projekte nuk nisën. Rast i tillë është me Shtëpinë e Pensionistëve, fusha për futboll të madh në Dardani, shkolla në Varosh, Parku te ish-objekti i Pastërtisë e Stadiumi i Qytetit “Ismet Shabani”. Gjithashtu nuk u ndërtua as Strehimorja për qenë dhe nuk u rregullua as Tregu i Gjelbër e as Tregu i Kafshëve”.
Azemi shton se “gjendja në arsim e shëndetësi mbetet alarmante, derisa zyra e prokurimit është dëshmi e keqpërdorimeve e keqqeverisjes, të cilat i dëshmojnë edhe auditime”.
“Pushteti në Ferizaj mburret me propagandë, por të gjithë e dimë problemin me menaxhimin e mbeturinave gjatë shumicës së vitit, i dimë protestat e grevat e punëtorëve të kompanisë “Pastërtia”, problemin me qentë endacakë, problemet me ujësjellës e kanalizim në shumë fshatra, mosmirëmbajtjen e shesheve, largimin e shtëpizave të drurit nga qendra dhe devijimin e pronave publike”.
Sipas Azemit, ky është raporti i vërtetë i punës së Agim Aliut.
“Kjo është pasqyra e dështimeve të tij”./Express/