18 vjeçari nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, vdiq më 20 janar të këtij viti pasi ishte rrahur brutalisht nga dy të mitur. Ai kishte qëndruar në Intensivë për 6 ditë, mirëpo nuk mundi t’i përballojë lëndimet e rënda që kishte marrë.
Të dyshuarit aktualisht gjenden në paraburgim, derisa nga Prokuroria kanë thënë se para disa ditëve kanë paraqitur në Gjykatë propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për dy të miturit.
Më 20 janar, Lulzim Fejzullahu vdiq në Mjekim Intensiv Qendror pasi ishte duke qëndruar aty për rreth 6 ditë si pasojë e lëndimeve që kishte marrë nga rrahja brutale. Tashmë, dy persona janë të dyshuar për rastin dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se më 25 mars kanë paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për dy të miturit.
Ata dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente.”
E gjithë historia dyshohet se ka ndodhur për shkak të fjalosjes për rend te berberi. Këtë e ka konfirmuar xhaxhai i tani të ndjerit dhe i dyshuari i parë.
“Aty i kanë shty fjalët. Jo s’po rruhesh para meje, jo kush je ti, jo kush jam unë. Këtu ka ndodhë shkaku. Djali ka dalë, e ka marrë jaknen, me shku prej shpie. Në derë kah dalin janë rrok me krahë. Si shqiptarët qysh e kanë zakon pse me shtyve, pse të shtyva. Ai i ka lonë me u rrue, por këta e kanë përcjellë me kerr, videot i ka policia”, kishte deklaruar xhaxhai i Lulzimit.
“E kundërshtoj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, vetë jam dorëzua në polici kam shkua në spital ju kam thanë policisë vetë jam i therrt, nuk jam mundu me ikë, mosmarrëveshja kishte ndodh një ditë përpara sepse L., ma kishte zanë renin te berberi dhe më ka sha mua”, kishte deklaruar i dyshuari i parë para gjykatës.
Ndërsa i dyshuari i dytë e kishte refuzuar caktimin e masës së paraburgimit, pasi sipas tij “s’ka bërë asgjë”, raporton Betimi për Drejtësi.
“Unë nuk jam për kësi lloj punësh deri në këtë pikë qysh ka ndodh, unë jam nxënës, unë ditën kritike veç kam tentua m’i nda dhe atë dy here”, kishte deklaruar i mituri i dytë.
Para se të vdiste 18 vjecari, Policia e kishte iniciuar rastin si “Vrasje në tentativë” derisa thuhej se dy të dyshuarit e kanë therë me thikë viktimën. Por më pas dolën pamjet, ku shihet se nuk është përdorur thika, por që të dyshuarit e kanë goditur me shkop.
Pas kësaj, Inspektorati Policor kishte nisur hetimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve policorë. Më 26 maj, IPK kishte njoftuar se ka pasur lëshim në raportin 24 orësh por që nuk e ka dëmtuar integritetin e hetimeve. Por, IPK kishte thënë se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës.
“Megjithatë, duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës”, thuhej në njoftim