Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili foli për nivel të paparë të investimeve kapitale. Ekonomisti i PDK-së publikoi një tjetër grafik nga ai i ministrit.
Mustafa shkroi në Facebook se Murati po bën “manipulim të paskrupullt”. Kjo, sipas tij tregon “nevojën dëshpëruese” të Qeverisë për ta gjetur ndonjë rezultat “që mund t’ia shesin publikut si pozitiv”.
“Ta paraqitësh nivelin e investimeve kapitale të vitit 2023 si sukses historik është një manipulim i paskrupullt dhe tregon për nevojën dëshpëruese të kësaj qeverie për të gjetur ndonjë rezultat që mund t’ia shesin publikut si pozitiv. Fatkeqësisht për Kosovën, rezultate të vërteta pozitive nuk po mund të gjejnë, sepse nuk e kanë asnjë!”, shrkoi ai.
Vlera e shpenzimeve kapitale e vitit 2023, Mustafa tha se “është e ngjashme me nivelin e shpenzimeve kapitale të vitit 2012, kur buxheti i Kosovës ka qenë sa gjysma e atij të vitit 2023”.
“Nëse e marrim parasysh inflacionin prej rreth 30% që nga viti 2012, atëherë e kuptojmë se investimet kapitale të vitit 2023 madje vlejnë më pak se ato të vitit 2012 për rreth 30% në terma real.
Në vitin 2012, 38.5% e buxhetit shkonte për investime kapitale të cilat janë të domosdoshme për zhvillim e mirëqenie, ndërsa në vitin 2023 investimet kapitale përfaqësojnë më pak se 20% të gjithsej shpenzimeve”, shkroi ai.
“Kjo pra është rruga kah po na çon kjo qeveri! Taksat e qytetarëve dhe bizneseve nuk po i shfrytëzojnë për zhvillim, por për të financuar skema të ndryshme populliste që në Kosovë po lënë pak e hiq gjurmë, ndërsa po e financojnë importin nga vendet tjera”, shtoi Arben Mustafa.