Mjekja nga Kosova, Zana Luci është emëruar kryemjeke në Departamentin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në klinikën “Asklepios” në qytetin Lindau të Gjermanisë.
Luci është shprehur e lumtur që do të udhëheqë këtë departament që nga prilli 2024.
“Gërshetimi i përvojës shumëvjeçare – në Vjenë, Braunschëeig, Osnabrück dhe Ravensburg- etikës profesionale dhe përkushtimi për mirëqenien e pacientëve, do ta udhëzojnë drejtimin tim në këtë detyrë me kaq përgjegjësi të madhe” – ka shkruar ajo në Facebook, krahas lajmit të publikuar nga media gjermane, “Wochenblatt-news”.
Kjo media ka shkruar se krahas punës mjekësore, doktoresha Luci punon edhe si pedagoge e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Akademinë Shëndetësore në Ravensburg.
Bindjet personale të saj qëndrojnë te bashkëpunimi, shkruan media. Ndërsa departamenti ka në fokus trajtimin e displazisë së qafës së mitrës, në procedurat endoskopike dhe trajtimin e endometriozës.
45-vjeçarja, Zana Luci me prejardhje është nga Prishtina, ndërsa studimet për mjekësi i ka kryer në Universitetin e Mjekësisë në Vjenë.
Luci jeton në qytetin Friedrichshafen i cili ndodhet në jug të Gjermaninë, pranë kufijve me Zvicrën dhe Austrinë.