Albin Kurti dhe Donika Gërvalla kanë bërë një postim të ngjashëm kohëve të fundit. Përveç kritikave ndaj BE-së, në grafikën e tyre për sukseset qeverisëse, Kurti e Gërvalla kanë renditur si sukses të tyrin liberalizimin e vizave. Çka ndodhi?
Ndonëse liberalizimi i vizave erdhi në kohën e qeverisjes së VV-së, gjerësisht është pranuar se meritat për përmbushjen e kritereve për këtë temë u takojnë qeverisjeve të së kaluarës së PDK-së, LDK-së e AAK-së.
Megjithatë, kryeministri Kurti nuk ka ngurruar që sërish të monopolizojë suksesin e liberalizimit të vizave. Në një grafikë të quajtur “Tri vjet mirëqeverisje: për zhvillim ekonomik me progres demokratik”, Kurti ka tentuar të ndryshojë historinë e liberalizimit të vizave, duke e shënuar si sukses të tij.
Madje, në grafikun e tij, Kurti e ka renditur liberalizimin e vizave në vendin e parë, duke shkruar se vitin 2024 Kosova e ka filluar pa viza në zonën shengen dhe me pasaportë shumëfish më të fuqishme.
“Vitin 2024 e filluam pa viza në Zonën Shengen e me pasaportë shumëfish më të fuqishme, të cilën nga janari na e njeh edhe Spanja.” – shkroi Kurti, ndër të tjera.
Në të njëjtën linjë të “revizionimit të historisë” është edhe Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diaporës. Gërvalla, pra vartësja e Kurtit në qeveri, e ka kopjuar shefin e saj qeveritar, duke e renditur liberalizimin e vizave si të arritur në politikën e jashtme.
Në këtë kontekst, Gërvalla bash sikurse Kurti shkroi për “forcimin e indeksit të fuqisë së pasaportës” së Kosovës. Madje, Gërvalla shkri se tri vjet qeverisje të saj në politikën e jashtme ishin “faqebardhë” dhe me duar të pastra”.
“Tri vjet. Me faqe të bardhë dhe duar të pastra!
Vazhdojmë edhe sot me punë shumë e fjalë pak, si në çdo ditë tjetër gjatë këtyre tri viteve.” – shkroi ajo, disa ditë më parë në profiling e saj në Facebook.
Sjellim ndër mend që Kurti e VV-ja kishte tentuar të monopolizonte suksesin e liberalizimit të vizave qysh në krye të herës. Atëbotë, VV-ja kishte shkruar se puna e Qeverisë Kurti e ka zhbllokuar procesin e udhëtimit pa viza të kosovarëve.
“Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian”– thuhej në njoftimin e VV-së.
Ndërsa opozita, natyrshëm, e kritikoi këtë tendencë të Kurtit dhe qeverisë së tij, duke insistuar se pikërisht partia në pushtet e kishte bllokuar këtë proces në vitin 2016, sa ishte në opozitë, duke bllokuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.