E papritur ishte që kryeministri të kërkonte që 24 hektarët buzë lumit Lumbardh t’i regjistroheshin Manastirit të Deçanit. Por Albin Kurti dukej se ishte përgatitur për këtë. Qeveria e bëri një ligj të ri për kadastër, i cili ia mundësoi atij ta jepte vetë autorizimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, pasi Komuna e Deçanit tash e tetë vjet kishte refuzuar ta bënte këtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi para dy javësh se i kërkoi Agjencisë Kadastrale që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia transferuar Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë. Ky hap i papritur në vend, u prit mirë nga Perëdimi, që tash mund ta konsideronte të plotësuar një kërkesë të vazhdueshme, të përsëritur qëmoti.
Kurti prej vitesh e kundërshton vendimin e Kushtetueses, të cilin edhe tash e konsideron të dëmshëm, të padrejtë e të çuditshëm. Por për kërkesën e tij për zbatim u arsyetua në një mbledhje të Qeverisë më 13 mars, duke thënë se kjo lëvizje ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Për zbatimin e këtij vendimi, Qeveria duket se ishte përgatitur. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani foli të hënën për një ligj të kadastrës, që është ndërruar në fund të vitit të kaluar.
“Para 3-4 muajve, 5 muajve, është ndërruar ligji që Agjencia Qendrore me e pasë të drejtën e regjistrimit, sepse është ditur që Komuna nuk e bën”, tha Hasani në një intervistë në Kanal 10. Ai tha se kështu Qeveria “është përgatitur për ta zbatuar vendimin”.
Më 7 qeshor të vitit 2023 Qeveria e miratoi një projektligj për kadastër të pronës së paluajtshme, i cili kaloi në Kuvend më 14 dhjetor të të njëjtit vit. Në ligjin e ri vërehet një ndryshim i rëndësishëm i cili ia mundësoi Kurtit ta jepte vetë autorizimin për t’ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit. Me ligjin e ri, zyrat kadastrale komunale e bëjnë regjistrimin e së drejtës mbi pronë sipas autorizimit të Agjencisë Kadastrale – e cila autorizohet nga Qeveria; ndryshe nga ligji i vjetër, që parashihte që zyrat kadastrale komunale t’i kryejnë të gjitha aktivitetet kadastrale.
Sipas nenit 5.1 të ligjit të vjetër për kadastrin, ZKK-ja është organ komunal dhe është përgjegjëse për funksionimin e kadastrit. Ndërsa sipas nenit 9.1.2 të ligjit të ri për kadastrin, zyrat kadastrale komunale shërbejnë si pjesë përbërëse të AKK-së.