Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës sërish për tenderët njëburimor.
Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku ka thënë se “Derisa po flasim, dikush në VV është duke nënshkruar një tender sekret”
“Dikush në shtetin e Vetëvendosjes është duke nënshkruar, jo përgatitë, një tender sekret, një tender sekret në ditë pune. Kjo praktikë po rritet vitin e parë ishin 30 milionë euro se ishte fillimi, vitin e dytë u bënë 70, vitin e tretë kanë qenë 109 milionë euro tenderë sekret. Atë që ne kemi bërë si parti është kërkimi i listës së tenderëve sekret dhe mes kësaj liste 781 sosh janë dy fenomene që dalin në pah”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka përgëzuar deputeten e partisë së tij, Hykmete Bajrami, që ka nisur iniciativën për hetimin e tenderëve njëburimor.
“Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë një punë të mrekullueshme në përshkrimin e një fenomeni e një praktike e njëfarë paterni të shpërndarë në gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër dhe këtij emri i thonë tender sekret, që ta kuptojnë qytetarët tanë tenderët sekret janë shpërndarje e parasë së shtetit prej buxhetit tek operatorët, tek biznesi pa asnjë garë, procedurë drejt për së drejti marrëveshje direkte”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, kjo praktikë në tre vite është bërë 781 herë dhe vlera e tyre është 209 milionë euro.