Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar sërish pushtetarët se po manipulojnë me shifra. Këtë herë ajo tha se manipulimi u bë në raportin eksport-import.
“Kanë thënë se raporti eksport import kur e ka marrë mandatin ka qenë 1:9 dhe sot është 1:6. Asnjëra nuk është e vërtetë, sepse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 Kosova ka eksportuar 439 milionë euro dhe ka importuar 3,271 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import për 2020 është 1:7 derisa në vitin 2023 Kosova ka eksportuar 820 milionë euro dhe ka importuar 5,8 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import prapë është 1:7”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami kërkoi edhe përballje për “secilën pikë”, duke thënë se Qeveria Kurti duhet të ketë në konsideratë ata që ia kanë besuar dhe të mos manipulojë me shifra.