Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Gerald Knaus nga European Stability Initiative ka reaguar pasi Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë në synimin për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.
Knaus ka thënë se ky është një rekomandim i fuqishëm nga Parisi që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës “pavarësisht që festa e Pashkëve mban larg shumë deputetë”.
Ai e ka përgëzuar raportuesen Dora Bakoyannis.
“Sinjal i fortë për Bashkimin Evropian”, ka shkruar Knaus në “X”.
Pas këtij votimi, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.