Marrëveshje finale me njohje reciproke Kosovë-Serbi nuk mund të ketë sivjet po vlerësojnë analistët politik në vend.
Madje ata thonë se shpesh herë në opinion po shihen deklarime aspak fqinjësore here pas here edhe kërcënuese mbi zhvillimet në rajon.
Ish-këshilltari politik i ish-ministres për Dilog, Edita Tahiri, Gazmir Raci, sa i përket çështjes së dialogut konsideron që është e rëndësishme që opozita të marrë pjesë në fazën finale, ndonëse thotë se këtë vit vështirë se mund të arrihet marrëveshja.
Sipas tij, nëse Kosova nuk arrin të zgjidh problemin me Serbinë atëherë do të kalojmë në një fazë tjetër të debatimit të çështjeve reale që i preokupojnë qytetarët siç është anëtarësimi në NATO e BE.
“Vendimi i gjykatës kushtetuese për çështjen e dialogut e ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për një proces të tillë. Por për shkak të rëndësisë që ka ky proces konsiderojë që është e rëndësishme që opozita të marrë pjesë në fazën finale sidomos opozita duhet të luajë rol në vendosjen e vijave të kuqe në mbrojtjen e sovranitetit dhe të pacenueshmërisë së kufijve”.
“Progresi në dialog e përshpejton rrugën e Kosovë drejt NATO dhe BE dhe kjo është mëse e sigurt. Nuk pres që brenda këtij viti mund të ketë marrëveshje finale sepse është proces i ndjeshëm dhe do të shkaktojë tensione për shkak të dallimeve ndërmjet palëve por kërkesa amerikane është që njohja duhet të jetë elementi kryesor i asaj marrëveshje. Ne po shkojmë drejt finales. Zvarritja krijon destabilitet, krijon paqëndrueshmi dhe po krijon mënjanim nga temat reale të përditshme që i preokupojnë qytetarët e Kosovës. Nëse ne arrijmë të zgjidhim problemin me Serbinë atëherë do të kalojmë në një fazë tjetër të debatimit të çështjeve reale që preokupohen qytetarët e Kosovës”, tha Raci.
Ndërsa, profesori i Shkencave Politike, Shqiprim Pula tha se subjektet politike parlamentare natyrisht që duhet dhënë kontributin e tyre për sa i takon forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.Edhe Pula theksoi se këtë vit nuk do të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës e Serbisë, për shkak edhe të deklarimeve shpesh herë kërcënuese për zhvillimet në rajon, raporton EO.
“Subjektet politike parlamentare natyrisht që duhet dhënë kontributin e tyre për sa i takon forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe gjeopolitikën rajonale në veçanti. Nuk do të duhej të kishte ndasi partiake dhe ngjyrime politike sepse kemi të bëjmë me ekzistencën e shtetësisë së Kosovës.“Nëse i bëjmë një analizë deklarimeve publike të presidentit serb Vuçiq duket se këtë vit kalendarik nuk do të kemi marrëveshje përfundimtare ndemjet Kosovës dhe Serbisë dhe shto faktin janë deklarime aspak fqinjësore here pas here edhe kërcënuese mbi zhvillimet në rajonin tonë prandaj nuk duhet pritur me entuziazëm se këtë vit mund të ketë një marrëveshje të tillë ndoshta për më vonë do të rriten pritshmëritë për një marrëveshje të tillë”, tha Pula.