Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka thënë se asnjëherë nuk kanë pasë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka dhënë urdhra apo ka udhëzuar që të rrëmbehet ndonjë civil, qoftë gazetar serb apo aktivist të LDK-së.
Këtë deklaratë, Byrnes e bëri gjatë përgjigjeve në kundërpyetjet e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, raporton Gazeta Express.
“Më lejoni që të jem tejet i saktë dhe i qartë: Ne as edhe njëherë nuk kemi pasë ndonjë provë që të tregonte se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së – Thaçi, Krasniqi, Ramë Buja, Xhaviti e të tjerë – kurrë nuk kemi pasë prova që ata të kishin dhënë urdhër apo të udhëzonin që të merreshin peng, të rrëmbeheshin gazetarëet serbë apo aktivistët e LDK-së. Kurrë s’kemi pasë prova të tilla..”.
“Ne menduam që këto veprime, pra prezumimi ishte ky që këto veprime ndërmerreshin ose në formë të pavarur, komandantët vendas të UÇK-së ose eprorë të tyre, p.sh komandanti i brigadës ose i zonës”, tha ish-diplomati amerikan.
Ndërkaq, Emmerson tha: “Fiks, ajo që dua të them është që nuk ishte domosdoshmërisht në nivel të komandantëve të zonës sepse kishte edhe elementë të pabindur më poshtë se komandanti i zonës. Apo jo?”.