Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shumë të mira, pavarësisht se mbi disa tema nuk pajtohen plotësisht.
Ndërsa diplomatët amerikanë janë shprehur se mungesa e bashkërendimit për çështjen e përdorimit të dinarit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë e Kosovës, Gërvalla tha se “ka disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik”, duke shtuar se “vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë”.
Ajo foli edhe mbi mungesën e përparimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, kohën e skadencës e ka derisa Serbia të tërhiqet, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ia vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet”, u shpreh ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Sa i përket mundësisë që Mali i Zi të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Gërvalla tha se “do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë”