Amerika do ta ndihmojë sërish ushtarakisht Kosovën.
Nga 2.2 miliardët që shteti më i fortë në botë do të ndajë për partnerët, një pjesë i dedikohet republikës më të re të Evropës.
Mbështetjen financiare e vlerëson lartë Ministria e Mbrojtjes, duke e quajtur rikonfirmim të partneritetit. Në një përgjigje për Klan Kosova nga ky dikaster qeveritar treguan se ende nuk dihet shuma e mjeteve që është ndarë për vendin.
“Tani kemi hyrë në dekadën e dytë të partneritetit të ngushtë me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe ky partneritet për ne, ka qenë determinuesi themelor për të gjitha të arriturat e deritanishme. Prandaj edhe për mbështetjen e paralajmëruar financiare nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken shprehim, mirënjohjen më të lartë për besimin e plotë”, tha Sefer Isufi, Shef i Komunikimit Strategjik ne Ministrinë e Mbrojtjes.
E të hollat parashihet të përdoren gjatë planit të tranzicionit 10-vjeçarë të FSK-së, që ka nisur në vitin 2018. Për mbështetjen shkroi edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke e quajtur motivim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e vlerave euroatlantike.
“Në kontekstin gjeopolitik dhe sfidave të mjedisit të sigurisë që sfidojnë rajonin tonë, ritheksoj nevojën për vendosjes e Bazës së përhershme të Forcave amerikane në vendin tonë, si garancë e përhershme e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe perspektivës së qëndrueshme të vendeve dhe popujve të rajonit dhe më gjerë”, u shpreh Mehaj.
Ai tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës janë të mishëruara dhe veprojnë në sinkron me konceptin strategjik të mbrojtjes e doktrinën ushtarake amerikane e aleatëve të saj.