Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, një ditë para takimit në Bruksel, teksa ka folur për qeverisjen, u deklarua edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Bislimi ka thënë se Serbia po vazhdon ta refuzojë rrugën për normalizimin e raporteve, siç po e dëshmon me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit.
Ai tha se qasja e tyre u demaskua, dukem shtuar se Kosova ofruar në vazhdimësi propozime për çështjen e dialogut.
“Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut.”
Ndryshe, Bislimi si kryenegociator i Kosovës dhe Petar Petkoviq nga pala serbe, pritet që sot të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në kuadër të rundit të ri të dialogut.
Ishte Lajçak, ai i cili njoftoi se në takimin paraprak temë diskutimi ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme. E për këtë pritet të vazhdojnë diskutimet edhe nesër.