“E di si të merrem me këta shqiptarë, i vrasim të gjithë” – Clark ndan detaje nga biseda me Millosheviqin në 1998

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

Gjenerali Clark në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin e këtij përvjetori, ka ndarë detaje nga biseda e tij me kriminelin serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, teksa po nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare të nëntorit.

Sipas Clark, Millosheviq kishte thënë prerë se e di se si të merret me shqiptarët, duke thënë hapur se do t’i vrasin të gjithë.

“Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviç në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.

Presidenti Millosheviç tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë””, ka thënë ai.

Clark më tej është shprehur se i vetmi rezultat për këto tensione historike ishte ndarja në dy shtete dhe tani sipas tij, dy shtetet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar.

“Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm”, ka thënë gjenerali Clark.