25 vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ky moment është historik për Kosovën, ku për 78 ditë me radhë, bombardimet ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë.
Tutje ai ka thënë se sot derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend e sfidat që kemi kaluar, “rikutojmë miqtë që ishin aty për ne”, derisa ka theksuar se mirënjohja për forcat e NATO-s të prira nga ShBA-ja është e përhershme.
“Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjenë Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfilëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi.
I pari i PDK-së ka thënë se është për keqardhje që ky përvjetor po kalon pa manifestime zyrtare.
Postimi i plotë:
Sot, shënojmë 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, një moment ky historik për popullin tonë. Nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta.
Prandaj, mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përherhshme dhe e paharruar. Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike.
Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjenë Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfilëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm.
Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit!