Maqedonci: Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, hap i madh për sigurinë e vendit e rajonit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka quajtur hap të madh për sigurinë e vendit lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asociuar.

“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi sot ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, shkroi ministri në një postim në “X”.

Ai ka shtuar se anëtarësimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian janë “thelbësore për çdo vend demokratik”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i cili është kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka bërë të ditur se gjatë punimeve të së dielës të Komisionit të Përhershëm drejtues të kësaj asambleje që po mbahet në Estoni, Kosovës i është ngritur statusi në nivelin e anëtarit të asociuar.