Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis e ka përpiluar raportin preliminary mbi anëtarësimin e vendit tonë në këtë institucion. Tashmë është bërë e ditur se në këtë raport, rekomandohet anëtarësimi, mirëpo përmenden edhe çështje “të nxehta”, si ajo e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çka thuhet tjetër?
Kosova e ka plotësuar kriterin e kërkuar që prej aplikimit për anëtarësim në KiE – pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë përreth i takojnë Manastirit të Deçanit.
Kështu, edhe në raportin e siguruar nga Nacionale, i cili mban datën e ditës së sotme, pra 22 mars, rekomandohet anëtarësimi i Kosovës.
Pika 5
Në pikën pesë, thuhet se asambleja beson që aspiratat e Kosovës për anëtarësim në KiE, duhet të përmbushen me një përgjigje pozitive.
“Anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar akses në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës…” – thuhet aty.
Megjithatë, Këshilli i Evropës do të ketë një mbikqyrje më të madhe në zhvillimet e brendshme, siç thuhet në raportin e raportueses Bakojanis.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfaqësonte një moment historik në procesin e integrimit evropian të Kosovës.” – thuhet tutje.
11. Asociacioni
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përmendet plot 27 herë në këtë raport. Asambleja e konsideron të rëndësishëm themelimin e Asociacionit.
Sipas raportit, kjo është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës, si dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Po ashtu, përmendet se kjo çështje, duhet të përfshihet për “shqyrtim të ardhshëm” nga Komiteti i Ministrave, si një angazhim pas anëtarësimit të Kosovës.
“Kuvendi e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kuvendi konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën.” – thuhet tutje në raport.
Raportuesja përmend se gjatë vizitës në Kosovë, Asociacioni ishte çështje diskutimi në takimin me kryeministrin Kurti:
“Kryeministri Kurti konfirmoi atë që veç se ishte raportuar në media: ai ishte gati për të nënshkruar. Unë e inkurajova fuqishëm që ta bëntë këtë, dhe thash që ai ta bënte këtë pa vonesa të mëtutjeshme dhe parakushte, pasi që formimi i Asociacionit, synon pjesëmarrje më të madhe demokratike të qytetarëve të Kosovës…”
Cilët janë hapat e radhës?
Para disa ditësh, një zëdhënës i KiE-së i tha Nacionales se takimi i radhës i komitetit pritet të mbahet në prill, diku mes datave 15 – 19 prill 2024. Ende nuk ka një agjendë zyrtare.
Pasi Komiteti për Çështje Politike të miratojë një draft të opinionit, dy komitete të tjera, ai për Çështje të Punëve Ligjore dhe ai për Çështje Barazie, do ta japin më pas pikëpamjen e tyre rreth kësaj.
Puna e tri komiteteve së bashku do të debatohet në seancën e Asamblesë, që çon në miratimin e një opinioni të Asamblesë për te Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.
Vendimi final për aplikimin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave.