Kurti pasi iu shpenzua e gjithë energjia në dialog: S’është prioritet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, që përgjatë këtyre tri viteve mandat u akuzua për përqendrim maksimal në dialog e lënie anash të sektorëve të rëndësishëm si Arsimi e Shëndetësia, sërish ka refuzuar ta etiketojë dialogun si prioritet.
Në konferencën e përbashkët për medie me ministrin Murati, ai shtoi se dialogu më shumë u ka marrë kohë mediave sesa ekzekutivit, dhe jo vetëm atyre vendore.
Veç kësaj, shefi i qeverisë potencoi që do të ishte mirë që Kosovës t’ia marrë edhe më pak kohë.

“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para.

Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga Serbia”, ka deklaruar Kurti në konferencën përkatëse.