Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka folur së fundmi për zhvillimet politike në Kosovë, çështjen e dinarit dhe deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar për qasjen ndaj Qeverisë Kurti.
Por, Sarrazin nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e emisarit amerikan për zhgënjim jo vetëm të Uashingtonit, por edhe Parisit, Berlinit e Romës me Qeverinë e Kosovës.
Mes tjerash, ai ka theksuar rëndësinë e procesit të Berlinit, duke shtuar se pret nga gjashtë vendet e rajonit si dhe nga Qeveria e Kosovës që të jenë konstruktive dhe produktive brenda procesit të Berlinit.
“Procesi i Berlinit kërkon që të gjitha palët të jenë të angazhuara. Për Qevërinë e Kosovës bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe shpresoj që së bashku me Serbinë dhe Kosovën dhe të tjerët të arrijmë zhvillime pozitive në këtë format”, ka deklaruar ai në RTK.
Ai po ashtu ka folur edhe për çështjen e dinarit duke thënë se po bëhet një punë e mirë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne presim nga të dyja palët që të premten t’i dorëzojnë propozimet e tyre në Bruksel për zgjidhjen e çështjes së dinarit, që njerëzit të veprojnë në terren. Ne presim nga të dyja palët që të punojnë në zbatimin të Marrëveshjes së Ohrit, për t’i dhënë kredibilitet kësaj rruge drejtë zgjidhjeve brenda dialogut”, ka deklaruar Sarrazin.