Deklarata e zyrtarit amerikan pas takimit me Osmanin: Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe më të sigurt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti sot në takim ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, me të cilin mbajtën edhe një konferencë për media, ku u fol për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Robinson tha tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë, teksa Osmani tha se përkrahja e Shteteve të Bashkuara ka qenë prezentë në çdo hap të shtet ndërtimit të Kosovës.

Osmani, mes tjerash po ashtu tha se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

“Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

Kurse Robinson tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

“Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës” – u shpreh ai.

Ai tha se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë, por një takim me kryeministrin Albin Kurti nuk është paralajmëruar.

Kujtojmë se raportet mes Qeverisë Kurti dhe SHBA-së janë tendosur për shkak të vendimit të BQK-së për dinarin.

Ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë u pyet nëse Uashingtoni do të vendosë ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai.