Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, në një intervistë për televizionin serb N11, ka folur rreth vendimit të Qeverisë për pronat e Manastirit të Deçanit.
Ajo tha se vendimi ka qenë i drejtë, dhe është një synim i autoriteteve në Prishtinë për t’iu bindur sundimit të ligjit.
“Kjo tregon një shenjë të qartë se ekziston një synim i autoriteteve në Prishtinë për t’iu bindur sundimit të ligjit dhe për të iniciuar reformat e nevojshme për statusin e sigurt të pakicës serbe”, ka thënë ish-kryediplomatja greke.
Bakoyannis tha më tej se nuk bëhet fjalë për 24 hektarët, por për rëndësinë e vendimit, pasi që ajo i përket besimit ortodoksë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për 24 ha që merr manastiri, por një simbol dhe një gjest për të gjithë të krishterët ortodoksë në Ballkan. Unë jam vetë një grua ortodokse dhe e kuptoni se sa e rëndësishme është që ai qytetërim të mbrohet dhe sot mbrohet pas 25 vitesh dhe pas atij vendimi që u mor në Prishtinë”, ka potencuar ajo.
Ajo tutje tha se Kosova ka ende punë për të bërë, por pas 25 vjetëve e vlerëson se Kosova ka bërë edhe arritje të mëdha.
“Sigurisht që nuk jam naive. Unë e di dhe jam plotësisht e vetëdijshme se ekziston edhe një listë e rasteve serioze të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Evropës e di shumë mirë këtë, por fakti që në pesë muaj arritëm të zgjidhim një çështje që u zvarrit për 25 vjet është një arritje e madhe dhe do të jetë në raportin tim”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/