Raportuesja e caktuar për Kosovën nga Këshilli i Europës, Dora Bakoyannis, është deklaruar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Ajo për mediumin serb “N1” tha se “mbrojtja e pakicave serbe dhe të tjera në Kosovë do të jetë shumë më e mirë nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Europës”.
Më 27 mars është caktuar takimi i ministrave të Këshillit të Europës, ku mund të votohet edhe raporti i saj për Kosovën për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në këtë organizatë.
Bakoyannis thotë se ende nuk është e sigurt nëse do të jetë kështu, sepse “janë një sërë parakushtesh që duhet të plotësohen derisa të jetë gati ai raport”.
“Unë do të rekomandoj mbikëqyrje për Kosovën nga Këshilli i Europës. Do të vijojë një proces postmonitorimi, i cili mund të nisë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votën e tij, sepse ata janë përgjegjës për marrjen e vendimeve”.
Është një proces në të cilin anëtarët e komitetit politik ndjekin çdo hap që duhet të zbatohet.
“Prishtina duhet të pajtohet që t’i zbatojë ato hapa në muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh me të gjitha vendet, sepse asnjë vend nuk është i përsosur, për fat të keq, kështu që të gjitha vendet në Këshillin tonë kanë probleme me zbatimin në lidhje me të drejtat e njeriut dhe kjo është diçka që ne e monitorojmë në të gjitha vendet dhe do të monitorohet në Kosovë, në rast se Komiteti i Ministrave vendos ta pranojë Kosovën në Këshillin e Europës”.
Bakoyannis ka folur edhe për vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit, duke e cilësuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si sukses të madh në rajon, por edhe hapin më të rëndësishëm për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe deri më tani.
“Kjo tregon një shenjë të qartë se ekziston një synim i autoriteteve në Prishtinë për t’iu bindur sundimit të ligjit dhe për të iniciuar reformat e nevojshme për statusin e sigurt të pakicës serbe”, i tha ajo mediumit serb.
Ajo beson se e ka bërë punën e saj “me ndershmëri dhe konsistencë, se nuk ka lejuar asnjë presion”, prandaj ka mundur të paraqesë një përshkrim të hollësishëm të situatës në Kosovë në komitetin ministror të Këshillit të Europës.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për 24 ha që merr manastiri, por një simbol dhe një gjest për të gjithë të krishterët ortodoksë në Ballkan. Unë jam vetë një grua ortodokse dhe e kuptoni se sa e rëndësishme është që ai qytetërim të mbrohet dhe sot mbrohet pas 25 vitesh dhe pas atij vendimi që u mor në Prishtinë”.
“Sigurisht që nuk jam naive. Unë e di dhe jam plotësisht e vetëdijshme se ekziston edhe një listë e rasteve serioze të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Europës e di shumë mirë këtë, por fakti që në pesë muaj arritëm të zgjidhim një çështje që u zvarrit për 25 vjet është një arritje e madhe dhe do të jetë në raportin tim”.
Bakoyannis është pyetur edhe për kushtet shtesë që u përmenden se mund t’i vendosen Kosovës për anëtarësim në KiE.
Ajo thotë se raporti i saj me siguri do të përmbajë të gjitha shqetësimet dhe rezervat kur është fjala për qëndrimin e serbëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.
“Të gjitha ato shqetësime për statusin demokratik, gjendjen e minoritetit serb, problemet me të cilat ballafaqoheshim, të gjitha këto do të përmenden në detaje në raportin që përmenda”, thekson ajo.
Ajo theksoi se raporti i saj do të prezantojë situatën aktuale në Kosovë para kolegëve në Këshillin e Europës – për të drejtat e njeriut dhe fetare, progresin e arritur, për dallimin ndërmjet zbatimit dhe miratimit aktual të ligjit.
Bakoyannis pranoi se ndihet e nderuar që kolegët e saj e zgjodhën për raportuese të Këshillit të Europës për Kosovën, pavarësisht se Greqia nuk e njohu Kosovën, duke e konsideruar këtë si shenjë besimi se ajo do ta bëjë punën e saj me përgjegjësi./Express