Çitaku i reagon Nagavcit për numrin e çerdheve: Kjo Qeveri merr notë kaluese vetëm në propagandë dhe mashtrim

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, për numrin e çerdheve të ndërtuara.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku e ka quajtur deklaratën e Nagavcit si mashtrim e përpjekje për manipulim.

“Nëse i referohemi situatës me ndërtimin e çerdheve të reja, nëse e shohim në përqindje, çerdhet e reja gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes janë për 850 për qind më shumë sesa që janë realizuar gjatë periudhës 2003-2020”

Me 4 çerdhe të ndërtuara gjatë mandatit të qeverisë Kurti, edhe një 3 vjeçar me njohuri bazike të matematikës do ta dinte që deklarata e ministrës Nagavci është e paskatë. Është mashtrim. Është përpjekje delitanteske për manipulim”, shkroi ajo.

Ajo e ka akuzuar Qeverinë për propagandë.

“Në fakt, propaganda dhe mashtrimi është fusha e vetme ku kjo qeveri merr notë kaluese”, shkroi më tej Çitaku./Sinjali