Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Todd D. Robinson, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë ishte edhe në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se Robinson u prit në takim nga drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, drejtori i Departamentit për Hetime Kolonel, Agron Nezaj, dhe drejtori i Departamentit Kufitar Nënkolonel, Fehmi Xhata.
Robinson u njoftua për sulmin terrorist të ndodhur me 24 shtator 2023 në veri të vendit, më saktësisht në Bajnskë të Mitrovicës. Hoxha e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme me donacione që INL ka bërë dhe po bënë për Policinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Robinson u nda i kënaqur me mikpritjen dhe informacionet e pranuara, dhe siguroi se INL do të vazhdoj me përkrahjen e pakursyer ndaj institucioneve të Kosovës.
Për vizitën në fjalë në Vërmicë ka shkruar edhe ambasada e ShBA-së në Kosovë, për të cilën ka thënë se Robinson u ndal për të diskutuar mbi rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit transnacional.