Abdixhiku mbledh kryetarët e degëve, flasin për zgjedhjet, listën e deputetëve – ka fjalë të ashpra ndaj Kurtit

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin me kryetarët e degëve kanë diskutuar kalendarin e takimeve në Kosovë dhe në mërgatë, përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listën e deputetëve.

“Mobilizimi ynë po merr formë. Në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, shtruam si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listen e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi të demokracisë.”

Abdixhiku ka goditur me disa fjalë Kurtin. Ai ka thënë se “të gjendur përballë perdes së popullizmit dhe propagandës; të ballafaquar me arrogancën e pushtetit; të përballur me sulmet përditshme ndaj themeleve tona të shtetësisë”, Kosova dhe populli i saj po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë, që sipas tij kanë zbrazur dhe mbyllur Kosovën.

“Të gjendur përballë perdes së popullizmit e propagandës; të ballafaquar me arrogancën e pushtetit; të përballur me sulmet përditshme ndaj themeleve tona të shtetësisë, Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë. Kjo zymtësi ka mbyllur Kosovën. Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën.

Abdixhiku ka thënë se në një “fat të tillë politik” aktivizmi individual e i përbashkët është domosdoshmëri, derisa ka shtuar se LDK është gati me program, ide, njerëz profesionist dhe organizim.

“Këmbanat tona po bien! Veprimi ynë duhet të pasojë tani. Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist – tani dhe me organizim!”