Kurti dje kërkoi më shumë trupa, Hovenier: Ka një mision të madh të NATO’s këtu, ka garanci të mëdha sigurie

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati një përgjigje sot që ishte e vlefshme për dy liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse pyetja që pranoi nga gazetarët sot para ndërtesës së Qeverisë ishte për kërcënimin e presidentit serb Vuçiq kundër Kosovës, Hovenier duket se i dha përgjigje edhe deklaratës së kryeministrit Kurti për “praninë simbolike” të NATO-s në vend.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, kryeministri Albin Kurti i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar më shumë trupa në Kosovë për ta mbrojtur nga një sulm i mundshëm serb. Ai tha se prania ‘simbolike’ e NATO-s në vend nuk është e mjaftueshme pasi shtoi se bazat ushtarake në Serbi janë të pozicionuara për të sulmuar.

I pyetur nëse Britania duhet të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon, Kurti tha: “Mbretëria e Bashkuar është pjesë e NATO-s dhe ata veprojnë dhe operojnë në atë mënyrë. Unë besoj se duhet të ketë më shumë trupa të NATO-s në Kosovë.  NATO ka 4,000 trupa në terren në Kosovë, por Kurti tha se vendi i tij “mund të mbrohet edhe më mirë” dhe se “NATO mund dhe duhet të angazhohet më shumë në Kosovë si ushtarakisht ashtu edhe politikisht” për shkak të kërcënimit nga Beogradi.

Ambasadori amerikan para se të thoshte që kosovarët s’duhet të mbesin pa gjumë për këto kërcënime, iu përgjigj Kurtit për prezencën dhe punën e NATO-s në Kosovë.

“Për pyetjet e kërcënimeve të perceptuara apo reale të fundit, mund të them vetëm këtë: SHBA-ja ka qëndruar fort me popullin paqësor të Kosovës për shumë vjet të tëra dhe veçanërisht në mënyrë indirekte në përgjigje të çdo kërcënimi ndaj integritetit territorial apo sigurisë së Kosovës dhe kështu mbetet. Kosova gëzon benefitin e një misioni të madh të NATO-s këtu, unike në rajon dhe ka garanci të mëdha sigurie që lidhen me praninë e forcës së NATO-s. Forca e NATO-s, që përfshin disa qindra ushtarë amerikanë, qëndrojnë me aleatët e NATO-s për të garantuar lirinë e lëvizjes, mjedis të sigurt dhe të qetë dhe është komplet parandaluese për çdo lloj sulmi për të cilin njerëzit shqetësohen. Mund të them vetëm se përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që ka ofruar SHBA-ja mbeten po aq të forta sa kanë qenë ndonjëherë”, tha sot Hovenier.

Kurti për gazetën britanike tha se ai i kishte kërkuar Brukselit për më shumë trupa në Kosovë “disa herë”, përfshirë para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022 dhe përsëri vitin e kaluar, kur persona të armatosur serbë sulmuan policinë në veri të vendit.

Rreth 200 trupa britanike u vendosën në rajon pas sulmit në një përpjekje për të ulur tensionet, duke iu bashkuar 400 trupave britanike tashmë të stacionuara atje.