Osmani i përgjigjet Hill: Kushdo që mendon se Serbia është më afër NATO-s i ofendon shtetet demokratike

Presidentja Vjosa Osmani sot i është përgjigjur deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

Osmani tha se kushdo që mendon kështu i ofendon shtetet demokratike që bëjnë hapa drejt NATO-s, raporton Gazeta Express.

“Kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, që është njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Osmani para gazetarëve.

Ajo tha se më larg nga NATO sesa Serbia është vetëm Rusia dhe shtoi se Serbia as vetë nuk dëshiron të jetë pjesë e Aleancës.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s dhe ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelë vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin të drejtat bazike të së drejtës ndërkombëtare siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s. Për shkak se është pikërisht anti vlerave të NATO-s, Serbia nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri për anëtarësim në NATO. Pra, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse është kundër NATO-s”.

Osmani tha se Serbia është një shtet, i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni dhe se vazhdimisht tenton ta shkatërrojë Bosnje e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi.

Ajo shtoi gjithashtu se Serbia kurrë s’është ballafaquar me të kaluarën gjenocidale.