Rohde lavdëron Kosovën: Edhe pse Ukraina nuk e njeh, Qeveria po e ndihmon me ndihma ushtarake

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se e ka ndihmuar Ukrainën me pajisje ushtarake në luftën kundër Rusisë.

Në lidhje me këtë ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se kjo është shumë e lavdërueshme, pavarësisht se Ukraina ende s’e njeh Kosovën si shtet.

“Edhe pse Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, qeveria kosovare po e ndihmon Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, duke e mbështetur me pajisje ushtarake. Shumë e lavdërueshme”, shkroi Rohde.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në takimin e sotëm të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ka njoftuar për paketën e parë të mbështetjes ushtarake që do të dërgohet në Ukrainë gjatë javës së ardhshme.

Maqedonci tha se paketa e parë përbëhet nga dhjetëra kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake.