Çarja dhe plasaritja në marrëdhëniet dhe partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka gjetur Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të marrur në pyetje se “Pse?”. Ndërkaq përgjigja e tij tashmë është kondenzuar në zbërthimin e fjalës marrëdhënie, si marrë-dhënie: marrje dhe dhënie. Përmes kësaj ndarje të fjalës, Kurti ndau edhe “kuptimin” e kësaj gjendje.
Kështu u përgjigj ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë; e madje në një “interrogim” të përforcuar me vetë fjalët e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, se është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që ka mbetur si “garantuesja primare dhe trashëgimia” marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
Këtu Kurti nuk u lëshua në komentimin e rastit konkret, por u lëshua në nocionin e “marrëdhënies” në rrafshin abstrakt. Ndërsa e vendosi në kontrast me të kaluarën, sipas tij, që “marrëdhënia të ketë qenë njëkahore”.
“Unë nuk mund të flas në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. As nuk kam pretendim të tillë, as të drejtë. Më besoni që nga pikëpamja ime, ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe këto marrëdhënie janë të dykahshme. Ndoshta në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie njëkahore, por sot marrëdhëniet janë dykahore, që do të thotë se ka edhe dhënie, edhe marrje, sepse të tilla janë marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se sa i përket kërkesave amerikane (kur ato, sipas tij, janë amerikane) Kosova nuk pyet pse, “por vetëm si”; por se në rastin e dialogutm, duke qenë ndërmjetës, vijnë me propozime të Beogradit dhe këtu fillon çarja.
“Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohje reciproke. Me ne mungon ajo gjë. Prandaj, nuk mund ta kemi ne këndvështrimin karshi Beogradit zyrtar identik me atë të Uashingtonit”, tha ai.
Çka kanë thënë ShBA?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë artikuluar krejt plasaritjen në marrëdhënie referuar asaj që ata besojnë të jetë jo-trajtim i duhur i komunitetit serb; veçanërisht në çështjen e ndalimit të dinarit, të cilët ata e vlerësuan si “çështje emergjente humanitare” ndërsa vendimin si “katastrofik”.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien në tone më të rrepta ndonjëherë nga një zyrtar amerikan drejtuar një qeverie kosovae është shprehur se po qe se kursi i qeverisë kosovare në mostrajtimin e ShBA-së partnere vazhdon, e njëjta do të reciprokohet: në mospartneritet të ndërsjellë.
Kurti kohëve të fundit ka refuzuar propozimin amerikan për zgjidhje të përkohshne për dinarin, për çka Escobar u shpreh i indinjuar ndonëse i shpresshëm që mund të arrihet pajtim në Bruksel në takimin e nivelit të kryenegociatorëve.
“Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”, tha Albin Kurti pyetur për refuzimin e propozimit amerikan.
“Është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, tha Kurti.