Tabelat që tregojnë në shqip dhe serbisht emrat e vendbanimeve në veri të Kosovës, po pastrohen sot, pasi u shkarravitën me sprej.
Ministria e Infrastrukturës para disa ditësh vendosi t’i hiqte tabelat e vendosura nga Serbia dhe t’i zëvendësojë me ato të Kosovës.
Mediumi Kossev raporton se punëtorë të kësaj ministrie sot kanë pastruar tabelat që u lyen me bojë në Rudar dhe Grabovc.
Plani është që sot të pastrohen të gjitha tabelat deri në Jarinjë, shkruan ky medium.
Për sigurinë e punëtorëve po kujdeset Policia e Kosovës.
Tabelat e reja të komunikacionit në shqip zëvendësuan tabelat e mëparshme të Serbisë. Mirëpo, në më pak se 24 orë, tabelat e reja u shkarravitën.