FAZ: Rikthimi i Trump mund t’i hapë rrugë ringjalljes së idesë së shkëmbimit të tokave Kosovë-Serbi

Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka paralamëruar pasoja të mëdha nga projekti që bëri bujë së fundmi: Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump planifikon investime në Shqipëri dhe Serbi.

Gazetari Michael Martens shkruan në artikullin me titull “Çfarë po planifikon dhëndri i Trump në Ballkan” se “nëse vjehrri i tij Donald Trump bëhet president amerikan, marrëveshja mund të ketë pasoja të mëdha”.

Një projekt i mundshëm investimi i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri ka ndezur debate të gjalla, veçanërisht në Beograd. Të premten, Kushner konfirmoi planet për New York Times, të cilat gazeta i përdori si bazë për një raport gjithëpërfshirës mbi projektin. Kjo nga ana tjetër çoi në reagime të qarta nga qeveria serbe në fundjavë, shkruan FAZ.

“New York Times” raportoi se në Beograd bëhej fjalë për ndërtimin e një hoteli dhe një objekti me “1500 njësi banimi” dhe në Shqipëri bëhej fjalë për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Mesdheut. “Jemi shumë të emocionuar. Ne nuk i kemi bërë ende këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë për to dhe jemi shumë afër”, citohet të ketë thënë Kushner nga gazeta.