Profesori amerikan: Nëse diçka ndodh në Bosnje – përshkallëzim të situatës mund të ketë edhe në Kosovë

Në vitin 2021, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do ta tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës: gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura.

Të tria këto përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit, i cili pas luftës u nda në dy rajone autonome: Republika Sërpska dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, tha atëkohë se plani i Dodikut është i barasvlershëm me ndarje.

“Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale. Bosnja mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që nga paslufta, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për t’i ndaluar separatistët serbë”, tha Schmidt.

Edhe pse vazhdimisht përsëriti kërcënimet për ndarje, Dodik nuk bëri ndonjë hap në praktikë, duke thënë se do të presë për një moment më të përshtatshëm gjeopolitikisht.

Por, inteligjenca amerikane tha se ai, në fakt, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska.

Në një raport të Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së, që u bë publik këtë javë, u tha se “udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.

“Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake që t’i forcojnë kapacitetet në mbrojtje të interesave të veta, dhe të çojë ndoshta në konflikte të dhunshme, që mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”, tha po ashtu inteligjenca amerikane.

Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të “aktiviteteve destabilizuese”, tha se Republika Sërpska “nuk planifikon ndarje apo rrezikim të paqes dhe stabilitetit”.