Ardita Sinani, ka bërë kritika në adresë të emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar, dhe emisarit të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se nuk i kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo qasje mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
” Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane. Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ajo.
“Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk u njihen diplomat për rreth 16 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi”, shtoi Sinani.
Ajo theksoi se është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.
“Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm. Prandaj, z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të takoni edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për të na dëgjuar. Së paku”, tha në fund këshilltarja e kryeministrit të Kosovës