Pacolli: Asociacioni do të bëhet, Qeveria e di, është mirë që Kurti ta informojë Parlamentin

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të jetë i kujdesshëm në raport me ndërkombëtarët. Duke përmendur rastin e pronave te Manastiri i Deçanit, Pacolli tha se Qeveria duhet t’i përfundojë obligimet e saj pa bërë show.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës u shpreeh i bindur se implementimi i obligimeve e nxjerr Kosovën dinjitetshëm nga dialogu.

Kreu i AKR-së konsideron se vonesat në implementimin e Asociacionit janë humbje kohe për Kosovën. Ai tha se këto vonesa po shkaktojnë presion e dëm ndaj vendit.

“Unë do ta rekomandoja Qeverinë e Kosovës të jetë e kujdesshme. Nëse e ka ndërmend të implementojë diçka, siç ka ndodh me Deçanin, ta bëj atë, pa polemika, pa hyrë në këtë… në situata të palakmueshme, e që e vënë Kosovën në situatë që është tani në relacion me ndërkombëtaret. Unë besoj që Qeveria duhet ta di vetë çka duhet të bëjë dhe nëse është ndonjë obligim që ka ndërmend ta bëj, ta bëj menjëherë, e jo mbas një show që po më duket është i panevojshëm. Dhe çdo refuzim i implementimit të Asociacionit, gjithmonë po e them në limitet e kushtetutës së Kosovës, është një humbje kohe edhe për ne, edhe për Kosovën, se po e shihni kur Kosova nuk implementon diçka, atëherë koha zgjatet e presioni gjithmonë është i vazhdueshëm mbi Kosovën. Dhe krejt ky presion që bëhet mbi një shtet të vogël, në një shtet aq të dijshëm si Kosova nuk është mirë”, tha Pacolli për Ekonomia Online.