Zyrtarja e lartë e PDK-së dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Citaku, ka thënë se në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, Kosovën janë duke e udhëhequr një kastë avanturierësh.
Ajo thotë se në një kohë kur kërkohet stabilitet dhe parashikueshmëri, Kosova ka një qeveri pa ide, pa vizion dhe të papërgjegjshme.
Sipas Çitakut, Kosova asnjëherë s’ka qenë në një situatë të tillë në 25 vite liri dhe thotë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Ajo thotë se Kosova është më e rëndësishme se egot e kryeministrit Albin Kurti.
Reagimi i plotë:
Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë avanturierësh.
Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjëshme, pa ide e pa vizion.
Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellur në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite.
Pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendëshëm, si në politikën e jashtme.
Mbajtja sa më parë e zgjedhjeve parlamentare tashmë është jo vetëm kërkesë, por domosdoshmëri.
Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit.