Në tre vjetët e fundit mbi 300 qytetarë të komunitetit serb janë trajtuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kështu ka kuptuar Dukagjini me burime zyrtare brenda QKUK-së.
Ndyshe, një qytetar i komunitetit serb nga Graçanica, Jefta Aksiq, ka treguar të enjten për Televizionin Publik të Kosovës se para më shumë se dy javësh i është plaçkitur banesa në të cilën jetonte.
Ai ka thënë se pas kësaj ka pësuar një atak në zemër, si pasojë e të cilit është shtruar në QKUK, me ç’rast ka falënderuar stafin e Klinikës së Kardiologjisë që i kanë shpëtuar jetën.
Po ashtu Aksiq ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës, për punën e bërë lidhur me rastin e tij, pasi ka arrestuar personat e dyshuar për vjedhje.
Serbët e anketuar gjatë nëntorit të 2023 tregojnë se krahasuar me muajin prill ndjehen më të sigurt.
Në nëntor 37.6% e serbëve të anketuar kanë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë gjatë prillit kjo shifër ishte më e ulët, 33.8%.
Për shembull në nëntor të 2022 raport i UNDP-së, tregonte se vetëm 15.3% e serbëve janë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë para prillit shifra e serbëve që ndjehen të sigurt i afrohet 50%-shit.
Ndonëse ky krahasim është pozitiv krahasuar me të dhënat e fundit por jo me ato të viteve të kaluara, njohësit e fushës së sigurisë vlerësojnë se siguria për serbët e Kosovës është rritur edhe për shkak të zhvillimeve në pjesën veriore, dhe sjelljes së institucioneve të sigurisë.