Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilloi sot takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që zgjati rreth 2 orë, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe ndër të tjera edhe çështja e ‘ nxehtë’ e dinarit.
Escobar pas takimit njoftoi se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me Kurtin sa i përket çështjes së dinarit dhe i cili i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me këtë çështje.
Ndërsa kryeministri Kurti, është deklaruar shkurt në profilin e tij në ”X”, ku tha se Escobarin e ka falënderuar për mbështetjen e SHBA-së dhe e ka informuar edhe për hapat e ndërmarrë, duke shprehur gatishmërinë për adresimin e kësaj çështje në agjendë.
“Kënaqësi të takohem me Gabriel Escobar. E falënderova për mbështetjen e Amerikës dhe theksova nevojën për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin në Banjska. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e rregullores së Bankës Qendrire dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në agjendë ”, shkruan Kurti.
Ndryshe, Escobar tha se SHBA-ja mbetet partnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.
“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.
I pyetur nëse SHBA-ja ka një qasje të pabalancuar kundrejt Kosovës, Escobar tha se shteti i tij që nga viti i kaluar ka bërë gjithçka në favor të Kosovës. Ai tha se Uashingtoni ka mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka mbështetur proceset demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri të Kosovës, e ka mbështetur Prishtinën pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe ka mbështetur vendimin për shitjen e sistemeve kundërtanke Javelin.