Po vazhdon ende takimi në mes të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Tashmë janë bërë një orë e gjysmë që ky takim ka nisur, e ku pjesë është edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Pas takimit, nuk dihet nëse palët do të deklarohen së bashku në një konferencë me gazetarë, apo secili veç e veç do t’iu adresohet mediave.
Në oborrin e Qeverisë shihet numër tepër i madh i mediave, duke qenë se takimi Kurti-Escobar vjen në një pikë mjaftë kritike të raporteve SHBA-Kosovë.
Ndryshe, Escobar të mërkurën u takua me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën më vonë doli në konferencë për media.
Ai tha se SHBA-ja nuk po i kërkon vetëm Kosovës të ndërmarrë vendime të vështira pasi e njëjta gjë, sipas tij, i kërkohet edhe Serbisë.
Duke folur për rregulloren e BQK-së, e cila e ndalon dinarin, Escobar tha se gjatë vizitës së tij do të angazhohet për të gjetur mënyra për të ecur përpara.
Një ditë para se të vijë në Kosovë, të martën Escobar nga Brukseli pati disa vërejtje të ashpra për komunikimin diplomatik me Kurtin, duke pranuar se ka çarje.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”.