Kush është kompania “misterioze” që ka marrë 42 milionë euro nga QKUK dhe Ministria? Abelard Tahiri bën thirrje për hetime të thella

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka thënë se ka pranuar sot një material nga një qytetar që tregon se si një kompani për dy vite ka marrë rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar. Vlera e tyre, sipas Tahirit, shkon në 42 milionë euro.

Ai ka sqaruar se këto s’kanë qenë kontrata njëburimore, por ka thënë se e njëjta kompani ka marrë kontrata njëburimore në vlerë rreth 3 milionë euro për dy vite nga Ministria e Shëndetësisë, raporton Express.

Deputeti s’ka pranuar të tregojë se për cilën kompani bëhet fjalë.

“Në kohën sa po flisnim, një qytetar i Republikës së Kosovës ma dërgon një material jashtëzakonisht interesant dhe ma ofron një material se si një kompani për dy vite merr rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare, SHSKUK në vlerë rreth 42 milionë euro. Pra, këtu jo kontrata njëburimore, por një kompani e vetme, të cilës sot s’po ia përmendi emrin sepse besoj paska nevojë për një hulumtim më të thellë, i merr rreth 59 kontrata, jo në Ministrinë e Shëndetësisë, në SHSKUK dhe klinika tjera, që vlera e tyre shkon në 42 milionë euro. E njëjta kompani merr kontrata njëburimore nga Ministria e Shëndetësisë për dy vite rreth 3 milionë euro, pra siç duket ky qenka një supermen që ofron shërbime që vështirë e kanë me i ofru dikush në Evropë e le më në rajonin tone”, ka deklaruar Tahiri

Ai ka thënë se Komisioni Hetimor për këto kontrata është jashtëzakonisht i rëndësishëm.